Policia greke ka vënë në pranga katër shqiptarë për trafik droge dhe një sërë veprash të tjera penale në Athinë dhe ishullin e njohur Mykonos. Mediat helene kanë publikuar detaje të reja rreth grupit kriminal dhe mënyrës se si ata arritën që të mbushnin me kokainë ishullin e famshëm.

Mësohet se katër anëtarët e grupit janë monitoruar me dronë. Përveç akuzave për trafik droge ata akuzohen për armëmbajtje pa leje, eksploziv dhe falsifikim të dokumenteve.

Një pjesë e anëtarëve të bandës kanë precedentë të hapur në drejtësinë greke. Kjo për shkak se aktiviteti i tyre ka qenë i shtrirë edhe në Athinë, ku ata janë kapur për trafikim të substancave narkotike.

Në dosjen kundër tyre janë zbardhur disa dialogje të denja për filmat Hollywood shkruajnë mediat greke. “Nuk është ashtu siç e donim”, mësohet të kenë biseduar ata me njëri tjetrin duke iu referuar cilësisë së drogës pasi nuk ishte e cilësisë së klientëve. Po ashtu në bisedat mes tyre është dokumentuar furnizimi me drogë nga Holanda.

Policia greke ka gjetur edhe një celular me një hartë që ndiqej nga një prej anëtarëve të bandës për të marrë drogën. Në fotot e publikuara nga autoritetet helene janë zbuluar sasi të mëdha parash të fituara nga tregu i jashtëligjshëm.

Ai që ka nxjerrë në dritë këtë grup të fortë kriminal ka qenë një qytetar që fliste shkëlqyeshëm greqisht dhe që para autoriteteve ka treguar të gjitha veprimet e shqiptarëve. Sipas asaj që bëhet me dije, i arrestuar është një 30-vjeçar me iniciale N.K i cili përdorte një motoçikletë.

Sipas mediave greke 30-vjeçari shqiptar merrej me shpërndarjen e kokainës në përditshmëri. Ai takohej me klientët në një zonë në qendër të Athinës.

Një tjetër shqiptar, me iniciale M.R, ka qenë i dënuar për 8 vite për shkak të përfshirjes në trafik droge.

Kokaina shpërndahej në sasi të vogla prej 100 deri në 200 gramë. Një prej anëtarëve të tjerë të grupit merrej me falsifikim dokumentesh. Shqiptarëve u janë sekuestruar mbi 16 mijë euro, drogë dhe armë.

Në fotot e bëra publike në mediat greke janë bërë të ditura edhe shënimet e shqiptarëve, siç duket nga kjo foto me emra shqiptarësh. Po ashtu vetë anëtarët e grupit kriminal janë fotografuar teksa pjekin mish në zgarë