Ngjarja e rëndë që ndodhi në Gramsh, në të cilën humbi jetën adoleshenti Fatjon Bici dhe u plagos rëndë 15-vjeçari me inicialet M.L, ka shqetësuar mjaft qytetarët shqiptarë.

Një vrasje me thikë jashtë ambienteve të shkollës. Deri më tani, informacionet janë që shkak për nisjen e konfliktit kanë qenë rrjetet sociale.

Nxënës të shkollës “Asllan Shahini”, kanë dhënë deklaratat e tyre për mediat. Ata tregojnë që të dy djemtë, kanë qenë kushërinj me njëri-tjetrin dhe vazhdonin klasën e nëntë, të ndarë në klasa paralele.

Të dy ata ishin kushërinj, janë në shkollën tonë, në klasë të nëntë të dy, por në klasa paralele. Një viktimë dhe një i plagosur. Ngjarja ka ndodhur për shkak të rrjeteve sociale, kush është më i fortë dhe kush është më i dobët. Mbase dhe realizojnë dhe video për rrjetet sociale.

Nxënësit shprehen mjaft të tronditur nga ngjarja e ndodhur, duke qenë se edhe i kanë njohur. Për Bicin, vajzat dhe djemtë e pyetur thonë që ishte një djalë i qetë, me sjellje të mirë.

Ata tregojnë që nuk e kanë parë ngjarjen, por vetëm sa kanë mësuar prej mediave.

Të them të drejtën u tremba shumë, se i njihja të dy djemtë, madje njihja dhe të tjerët që u përfshinë, ndaj u tremba. Skenën nuk e kam parë, por çfarë kam marr vesh prej rrjeteve sociale. U bë shumë gjë e madhe, nuk prisja të ndërronte jetë. Ka pasur dhe ngjarje të tjera, por jo në këto përmasa. “Jo unë jam më i fortë, jo s’je ti”, kështu mund të ketë nisur ngjarja.

Megjithëse, banorët e zonës e kanë parë ngjarjen, një nga nxënëset bën të ditur që nuk ka pasur ndërhyrje prej tyre, sikurse dhe policia ka mbërritur me vonesë në vendngjarje.

Të dy djemtë ishin të mirë. Ngjarjen e kishin parë shumë vetë, por nuk ndërhynë, banorët e lagjes. Policia erdhi shumë vonë. Me sa kam marr vesh, shkak është bërë një lojë në për rrjete sociale.

Siç dihet deri më tani, shkak mund të ketë qenë rrjetet sociale, ku nxënësit thonë se ka një tendencë për të bërë “trimin”. Pra dhe në raste të tjera, shumë sherre nisin me moton “unë jam më i fortë se ty, hajt se e shohim”.

I njihja të dy. Në fillim kur po niste sherri, ia thashë një shoqe të rrinim të shikonim çfarë kishte ndodhur, por u larguam. Djali që humbi jetën ishte djalë shumë i mirë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve, do të ketë njoftim për arrestimin e autorit dhe për masat që do të merren për 3 shtetasit e tjerë të shoqëruar.