Ambasada Amerikane në Shqipëri, me rastin e 245 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, ka shpërndarë pamje nga ceremonia që u zhvillua në rezidencën ku qëndron ambasadorja Yuri Kim, ndërsa ajo zotohet se vitin e ardhshëm të bëhet më shumë për demokracinë dhe biznesin.

Me dorën në zemër, Yuri Kim, zotohet për të çuar përpara vitin e ardhshëm demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.

Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i vendit, Ilir Meta, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci, por ka munguar kryeministri Edi Rama, i cili ishte në samitin rajonal në Ohër.

Pjesë nga fjalimi i ambasadores Yuri Kim për festimin e 245 vjetorit të Ditës së Pavarësisë

Ndërsa festojmë ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara dhe 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, le të vendosim të çmojmë, të vlerësojmë, të mbrojmë dhe të përtërijmë demokracinë; për të kujtuar aspiratat e atyre që shpallën pavarësinë, qoftë në vitin 1776 në Filadelfia apo 1991 në Sheshin Skënderbej; dhe për të luajtur rolin tonë në bërjen e atyre aspiratave më të vërteta për brezin e ardhshëm.

Kremtimi ynë i Ditës së Pavarësisë zakonisht kërkon fjalim nga dikush që përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe nga dikush që përfaqëson Shqipërinë. Me sytë tanë të përqendruar fort në të ardhmen, a mund t’ju kërkoj të mirëprisni Dea Rrozhanin për të folur jo vetëm në emër të Shqipërisë, por në emër të së ardhmes.

Dea erdhi për herë të parë në Këndin Amerikan në Tiranë kur ishte tetë vjeçe. Në vitin 2019, ekipi i Deas shkoi në Silicon Valley si përfaqësuesit shqiptarëa dhe fitoi sfidën globale të Technovation. Këtë vjeshtë, Dea do t’i bashkohet studentëve të vitit të parë në Universitetin e Pensilvanisë. E ardhmja është me të vërtetë e ndritshme.

Ju lutem bashkohuni me mua për të ngritur një gotë në ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe për të ardhmen. Gëzuar!

ora tv