Alfred Muharremi, djali që është rritur në fshatin SOS, është pjesë e listës së Tiranës për zgjedhjet e 25 Prillit. Alfredi kandidon për Partinë Socialiste, duke treguar se është e vetmja forcë që nuk sheh se nga vjen apo djali i kujt je.

Në takimin me një grup të rinjsh që votojnë për herë të parë, krah kryebashkiakut Erion Veliaj, Alfredi tregoi një pjesë nga historia e jetës së tij dhe çfarë e ka bërë atë të fortë.

“Unë vij nga komuniteti i fëmijëve që janë rritur pa kujdesin prindëror dhe kur isha në moshën 18-vjeçare, dua t’ju them një përvojë, nuk arrita dot të votoja për faktin se nuk kisha mundësi të blija kartën e identitetit. Nuk shkova dot në votim sepse nuk kisha mjaftueshëm të ardhura për ta blerë atë kartë. Kjo më shtyu që të punoj fort, megjithëse isha në moshën e gjimnazit dhe njëkohësisht më duhej edhe të studioja”, u shpreh Alfredi.

Ndërsa vuri në dukje se sot falë investimeve të Bashkisë së Tiranës, gjërat janë më të lehta.

“Një gjë pozitive që unë e shoh tani dhe në atë kohë nuk e kam parë, është se ju tani keni infrastructure. Në atë kohë unë nuk kisha një bibliotekë dhe nuk arrija dot të studioja, isha i detyruar të studioja gjatë orës 2-3 të natës, ndonjëherë më zinte gjumi edhe në klasë, ishin periudhat më të vështira të jetës sime. Por, unë sot e shoh edhe si periudhën që më ka bërë edhe më të fortë, ndoshta edhe më të denjë për të dalë sot përpara jush”, sqaroi kandidati për deputet, Alfred Muharremi.

Top Channel