Duket se po ndahet për së gjalli kjo tokë nga njerëzit.

Dikur Naim Frashëri, ky gur themeli i bektashizmit  shqiptar shkruante thelbin dhe kuptimin e asaj që sot ndjehet më pak se kurrë “Pa atdhe, nuk ka fe”.  Teqetë, janë dëshmia e vetme në këtë zonë për të na rikujtuar se ishin të parat nga ku klerikët dhe intelektualët bektashinjtë, dhanë ndihmesë të çmuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për liri dhe pavarësi. Teqetë, u kthyen në shkollat e para të shqipes. Si mundet mos të ngjallet kurioziteti ynë sot, për të shkuar dhe vizituar? Përse fshatrat e Skraparit nuk njihen sa duhet? Janë  larg? Jo!  Si t’ja kthejmë nderin Atdheut? Duke kthyer sytë nga fshati. Natyrisht!

Ilnisa Agolli, na rrugëton drejt asaj që quhet Çerdhja e Bektashizmit dhe kanioneve madhështore me Osumin poshtë. Koloradot e Shqipërisë, siç i quajnë të gjithë.  Pse quhen kështu? Në këto zona të thella malore, do të njihemi me njerëz të urtë e të mençur nga ku do të ndjehemi mirë. Si është të bujtësh në familjet këtu? Është e çuditshme ndjesia që merr kur sheh Kanionet e Skraparit, kur shkon në Gjurmën e Abaz Aliut dhe mrekullinë tjetër që ka krijuar natyra Vrima e Nuses dhe fshatrat  që përshkon duke shkuar drejt Potomit.

Duket se të qaset një Shqipëri tjetër, e cila të afrohet me shpirt me zë dhe me gojë, ndryshe. Aq sa të bën të ndjehesh fatlum. Duajeni Shqipërinë dhe shiheni të plotë videon, pikat historike ku mund të ndaloni dhe gjithë ç’mund të shihni në mesin e lirisë. Malet, bagëtinë dhe kuptimin e vërtetë të këtij vendi që Naimi dikur, kur i shkruante atdheut e pyeste: “ Gjithë këto farë lulesh e këtë bukuri erë, këtë blerim e ngjyrë nga ç’vend i ke nxjerrë?”.

Këtë pasuri të madhe lëndore dhe kulturore mund t’ia ngremë një përgjigje ne. Me dorën, zënë e kokën duke marrë një dolli. Në Skrapar, ku kënga dhe gota qeshin e këndojnë si poetë dhe fshatarë.Top Channel