Agim Kajmaku dhe nipi i tij, Edmondi, kanë mohuar që të kenë lidhje me sasinë e kokainës prej 18.8 kg që u kap në Itali 20 ditë më parë.

Sipas dëshmisë së Kajmakut dhe nipit të tij, ata shkuan për të blerë bimë në disa fidanishte të zonës dhe i mblodhën në atë të Grottammares, ku duhej të ngarkoheshin. Tashmë xhaxha e nip do të presin vijimin e hetimeve për të mësuar nëse do të mund të ndryshojnë masën e sigurisë me anë të qëndrimit të tyre mohues ndaj akuzave të Prokurorisë italiane. Ata nuk pranojnë të kishin dijeni për sasinë e lëndës, pasi ajo ishte jashtë ambienteve të banesës së tyre, por kjo për hetuesit e çështjes nuk është mundësi për t’u shfajësuar për dy shqiptarët.

Gjurmimi, përgjimi dhe dëshmia e shitësit të vazove që “fundosën” kryebashkiakun

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, është arrestuar nga Policia italiane me 27 maj, pasi ishte vëzhguar për disa kohë nga një njësi e specializuar në luftën ndaj narkotikëve. Autoritetet e hetimit të Italisë bënë me dije se të paktën 2 muaj Kajmaku dhe grupi të cilit i shërbente ishte nën vëzhgim të rreptë 24 orë. Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje të tij, Policia italiane kishte montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje, ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.

Pas kapjes së tij, autoritetet italiane kanë kërkuar informacione tek autoritetet shqiptare në lidhje me këtë shtetas, i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit. Pavarësisht këtyre të dhënave, Policia italiane nuk bën me dije se çfarë grupi kriminal i përket Kajmaku dhe nipi i tij, dhe pse ata thonë se ai ishte personi më i ri në këtë grup. Sipas të dhënave, Kajmaku punonte në atë zonë dhe se ai nuk kishte lidhje me drogën, por do të jetë prokuroria që do të hedhë dritë mbi implikimin e tij ose jo në trafikun ndërkombëtar të drogës. Ndaj tij u shënua një dëshmi e shitësit të vazove të luleve, dëshmi që hedh dyshime mbi aktivitetin e Kajmakut, dyshime që në fakt e çuan në prangat e Policisë vendase./panorama.al