Trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Reja është shfaqur i mërzitur me arbitrimin pas ndeshjes që humbi me Poloninë me rezultatin 4-1, përpos faktit se pranon se ekipi i tij nuk kishte fatin me vete dhe se mund të kishte merituar më shumë.

“Në pjesën më të madhe të lojës e mbajtëm mirë topin. Nuk dua të gjej justifikime. Polonia ka meritën e saj, por arbitri e teproi pak. 3 kartona të pak minuta janë shumë.

Arbitrimi sot la për të dëshiruar”, u shpreh Reja pas ndeshjes.

Ai motivoi të tijët për ndeshjen e radhës, dhe tha se pengimi i Manajt në zonën e polakëve ishte një penallti e pastër, e cila u mohua nga arbitri, edhe pse tashmë është edhe sistemi VAR në lojë.

“Skuadra luan mirë kur është e ekuilibruar. Krijuam shumë raste, te disa duhet të kishim pak fat. Nuk është çështje sulmi sepse ekuilibrin e kishim. Jemi shumë mendjelehtë ndonjëherë.

Ndonjëherë mund ta nxjerrim edhe topin lartë. Por nuk kemi vdekur akoma. Ka prapë ndeshje. Në mesfushë duhet të jemi më të kujdesshëm, të mos humbasim aq shumë topa sa me Poloninë. Kishim edhe një penallti për Manajn, ka shumë episode që mund të diskutohen. Por jemi akoma këtu, nuk ka mbaruar asgjë”.