Kryeministri Edi Rama, në emisionin “Opinion”, ka pasur një përplasje me gazetaren Fatjona Mejdini. Mejdini i vë në dukje kryeministrit gjuhën e përdorur prej tij, për të cilën thotë se ka përmbajtje të bullizmit, duke sjellë në vëmendje këtu, gjuhën e ashpër të përdorur nga kryeministri për kandidatin Himarës, Fredi Belerin.

Gazetarja i tregon Ramës që si kryeministër nuk mund të bullizojë kundërshtarët politikë për pamjen e tyre fizike.

Më tej, në ‘debatin’ e tyre për gjuhën e përdorur, gjatë ngritjes së toneve, Rama i kujton gazetares që është duke folur me kryeministrin.

Gazetarja: Si kryeministri i një vendi, ju nuk mund të bullizoni njerëzit e tjerë për pamjen fizike.

Kryeministri i Hollandës nuk i bullizon kundërshtarët.

Rama: Nuk jam kryeministri i Hollandës, e kam shok po nuk jam ai. Unë jam ky, me të mirat dhe të këqijat e mia, nuk them që çdo gjë që bëj unë duhet marr shembull, po nuk rri dot pa them që në 2023 i rikthehet Himarës një hije e zezë.

Gazetarja: Po e përdorni gjithë këtë situatë për të fshehur gjuhën tuaj bulliste.

Rama: Të lutem shumë se po flet me kryeministrin këtu.

Gazetarja: Po me kryeministrin po flas, po kryeministri bullizon.

Rama: Të lutem shumë mos më ndërprit, po flet me kryeministrin këtu, jo “iuiuiu”. Këtë bullizmin e kam dëgjuar shumë herë. Mos më thuaj mua po e përdor, se të thuash po e përdor duhet të kesh prova.