Shqipëria do të marrë pjesë sot në një ndër ekspozimet më prestigjioze të verës dhe kantinave në Evropë në “Vinitaly 2023” në Verona, Itali. Në këtë ekspozitë, Shqipëria do të përfaqësohet me 75 etiketa të verës shqiptare dhe 20 prodhues.

Pjesë e këtij aktiviteti është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Takimi po mbahet në kuadër të nismës Open Balkan dhe është hera e parë që një takim në atë format mbahet jashtë kufijve të Ballkanit Perëndimor. Tashmë ka nisur takimi i tyre në bashkinë e Bardolinit, e Vuçiç, Rama dhe Kovaçevski erdhën në këmbë dhe ecën buzë liqenit.

Pas takimit, të tre liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët dhe pritet që temë kryesore e takimit të jenë rezultatet e arritura deri më tani në kuadër të nismës.