Mijëra shqiptarë vazhdojnë të tentojnë çdo vit strehimin në vendet e Bashkimit Europian dhe kjo nuk ka ndryshuar as në vitin e pandemisë. Të dhënat e Zyrës Europianë të Azilantëve tregojnë se numri i aplikimeve kaloi në mbi 6500 ndërkohë që vetëm 125 persona arritën të marrin statusin e refugjatit.
Pavarësisht kufizimeve dhe vitit të vështirë për shkak të pandemisë, qytetarët shqiptarë nuk kanë hequr dorë nga dëshira për t’u larguar nga vendi.
Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve gjatë vitit që lamë pas kanë aplikuar për azil rreth 6 mijë e 500 persona.
Numri më i ulët raportohet në muajt mars dhe prill që përkon me kohën kur vendi ishte në karantinë, por fluksi njohu rritje prej qershorit.
Në raport bëhet e ditur se vetëm në muajin dhjetor kishte rreth 460 aplikime, nga të cilat 289 ishin për herë të parë
Një vit më parë numri i kërkesave të shqiptarëve për strehim në vendet e Bashkimit Europian raportohej në më shumë se 20 mijë.
Gjatë vitit 2020 janë refuzuar 8 mijë e 700 kërkesa nga shqiptarët, ndërkohë që vetëm 125 kanë marrë statusin e refugjatit.
Një tjetër statistikë shqetësuese sipas Zyrës Europiane të Azilantëve ka të bëjë më shumë se 58 mijë aplikime të mbetura ende pa u shqyrtuar dhe ende pa një përgjigje nga vendet përkatëse të BE.
Në raportet e fundit Shqipëria renditej e dyta sa i përket aplikimeve për azil në raport me popullsinë, duke lënë pas vetëm Sirinë.
75 përqind e shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian janë nën moshën 34 vjeç.
Ora news