TIRANË- Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i PD, sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi ka ftuar në një takim urgjent pune nënkryetaren Jorida Tabaku. Ai thotë se në mungesë të kryetarit, postin drejtues të partisë e merr nënkryetari.

Ai shton se në rast se nuk ka një autorizim, partia duhet të mbledhë Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë partinë deri në rikthimin e kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e kryetarit të ri.

Deklarata e Bardhit: 

“Pasi jam njohur me deklaratën e Nënkryetarit të Partisë z. Enkelejd Alibeaj, që ushtron përgjegjësinë e drejtuesit të Partisë, se heq dorë nga ushtrimi i kësaj përgjegjësie dhe nga detyra e Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë znj. Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore. Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri.