Gjykata e Apelit pritet të vendosë për fatin e Partisë Demokratike më 3 mars, por Astrit Patozi, ish-drejtues i Bindjes Demokratike, u shpreh dyshues që vendimi do të jepet në këtë datë.

“Jam i sigurt që edhe nëse gjykata do të çmendet, në kuptimin e kundër të fjalës, dhe të japë atë vendimin më 3 mars, për të cilin unë dyshoj shumë. Gjykatat tona nuk marrin vendim as për një deputetë të thjeshtë e kanë shtyrë vendimin për 10 seanca. Për këtë kemi shumë precedentë. Drejtësia jonë ka bërë thagma dhe vazhdon të bëjë. Nuk çuditem me këtë gjendje”.

Më tej, Patozi u shpreh se edhe vendimi i gjykatës nuk do ta zgjidhte krizën nëse nuk do të ketë frymë bashkëpunimi me palëve.

“Ajo që më çudit mua është se palët në PD i kanë sytë te gjykata. Edhe nëse gjykata vendos një ditë, halli i tyre nuk zgjidhet sërish sepse mund të ndodhë si Saranda. Aty kishte një vendim gjyqi, por kjo nuk e pengoi atë që të hidhte në erë hotelin. Nëse nuk ka një frymë bashkëpunimi, gjykata nuk ia zgjidh dot hallin.Megjithatë, ky nuk është një problem që të shqetësojë të gjithë shoqërinë tonë. PD ka pjesën e luanit në opozitë, por nuk është opozita. Ne duhet t’i lëmë mbase iu vinë mentë pas gati 2 vjetësh konflikt. Unë mendoj se po të futet logjika politike, gjithmonë gjendet gjuha e përbashkët”, tha Patozi.