Opozita ka nisur një stine protestash, nga bulevardi para kryeministrisë, çdo ditë para parlamentit kur zhvillohet seanca jashtë godinës dhe brenda saj për të bllokuar vazhdimin normal të punimeve.

Për këtë çështje u fol këtë të martë në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, ku i ftuar ishte Astrit Patozi, ish-drejtues i Bindja Demokratike.

Teksa u pyet nëse sheh shenjat e një revolucioni në aksionin opozitar, ai u shpreh se sheh një revoltë. Patozi theksoi se Berisha e përdor retorikën e fortë politikë për të karikuar të tillët, të acarojë situatën për të ndarë kampet.

“Unë shoh shenjat e një revolte, jo të një revolucioni. Revolucioni është fjalë e madhe. Në fakt, unë jam kundër revolucionit edhe sikur të ishte gjëja e duhur sepse i përkas principeve të djathta që e përjashtojnë revolucionin. Unë mendoj se e vetmja rrugë për të ndërruar pushtet janë zgjedhjet. Ndaj nuk besoj në format e tjera të dhunshme të marrjes së pushtetit. Unë mendoj se Berisha e përdor retorikën e fortë politikë për të karikuar të tillët, të acarojë situatën për të ndarë kampet. Është një taktikë e vjetër, është pjesë e shkollës së tij politike që ta ndajë Shqipërinë në dy pjesë, bardhë e zi. Nuk e ka gabim si strategji kur bëhet fjalë për një parti politike, por e ka gabim kur bëhet fjalë për gjithë shoqërinë. Nuk është ndonjë gjë e këndshme, e admirueshme, për pjesën tjetër të shoqërisë që kërkon rotacion pushteti”, tha Patozi.