Në ditët e sotme mjafton të kërkosh në Instagram dhe kupton se cili penel është më shumë në modë për momentin.

Dhe në fakt në këtë periudhë eyeliner-i më trendi është ai që njihet si “peneli i dyfishtë”, për shkak të formës që merr në sy.  

Për ta arritur atë ju duhet pak shkathtësi dhe një penel ose një laps me një majë super të mprehtë që përcakton si vijën e sipërme të qerpikëve ashtu edhe rrudhën e syrit. Shikoni fotot e mëposhtme për të gjetur frymëzim për makeup-in që do të bëni.

Ky model e bën syrin të duket më i hapur ose më i madh. Peneli mund të bëhet me të zezën klasike në kombinim me qepallat e lyera në ngjyrën nude, ose të krijojë një kontrast me rimel me ngjyra dhe me shkëlqim për një pamje më tërheqëse.

Për ta realizuar, fillimisht do t’ju duhet të vizatoni vijën e sipërme atje ku mbarojnë qerpikët e sipërm duke krijuar një bisht tipik të penelit jashtë syrit. Më pas do të vazhdoni me vijën tjetër më të dukshme, pra atë të sipërmen që edhe bie më shumë në sy. Ajo do të bëhet njëlloj me rrudhën që krijon qepalla dhe do ta zgjasni deri jashtë saj derisa ta bashkoni me vijën e parë të penelit.

Në këtë pikë mund të zgjidhni të lini qepallat e palyera ose të ngjyrosni pjesën e brendshme të formës që keni krijuar me një ton duke krijuar  kontrast.