Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “ Vërejtje publike” ndaj gjyqtarit B.SH.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor ndaj magjistratit B.SH., i nisur bazuar në ankesa në vazhdimësi pranë ILD-së nga kancelarja, pasi magjistrati në pozicionin e zvkryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, e pengonte në ushtrimin e detyrave ligjore, duke mos lejuar funksionimin normal të gjykatës.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se

  • Magjistrati B.SH. ka lejuar moszbatimin, pa shkaqe të justifikuara, të vendimit të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me kancelaren e gjykatës, si dhe në mënyrë të përsëritur, gjatë dy mbledhjeve të Këshillit të Gjykatës, nuk ka respektuar dispozitat ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjykatave
  • Ndërmarrja e këtyre veprimeve nga magjistratit përbëjnë mospërmbushje të detyrës së zvkryetarit, i cili ka përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe funksionimin e gjykatës si institucion, dhe ka krijuar konfuzion mbi ushtrimin e kompetencave të kancelares, e cila është përgjegjës për menaxhimin e administrimit gjyqësor.
  • Shkeljet e konstatuara nuk lidhen me veprimtarinë e tij profesionale të magjistratit. Ato mund të jenë të rëndësishme për vlerësimin etik dhe profesional të tij, por janë të natyrës që magjistrati duhet të mbajë përgjegjësi disiplinore.
  • Moszbatimi pa shkaqe të arsyeshme nga ana e tij si drejtues i një vendimi të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësohet si një sjellje joprofesionale, e cila diskrediton pozitën e drejtuesit të një gjykate dhe figurën e gjyqtarit në veçanti.

Në përfundim të hetimit, ILD duke mbajtur në konsideratë mes të tjerash, natyrën e shkeljes disiplinore, ekzistencën e rrethanës lehtësuese, e lidhur me shkeljet për herë të parë; bashkëpunimin e magjistratit gjatë hetimit; si dhe ndihmën në mënyrë aktive për të zhdukur ose pakësuar pasojat e shkeljes; arrin në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e zvkryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë B.SH., përbëjnë shkelje disiplinore të parashikuar nga nenin 102 pika 1 shkronjat “g” dhe “gj” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar; si “Shkelje disiplinore e lehtë”.

Për sa më sipër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon KLGJ-së pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit B.SH., për shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1 shkronjat “g” dhe “gj” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”

“Vërejtja publike” përmbush dy qëllime parandaluese: parandalimin e posaçëm, në kuptimin që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe parandalimin e përgjithshëm, në kuptimin që magjistratët e tjerë, kuptojnë që një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.