Sikundër ka ndodhur çdo vit tjetër që prej reformimit të skemës në 2015-n, mosha e daljes në pension për gratë është rritur me 2 muaj të tjerë, ndërsa portofolit të sigurimeve i shtohen edhe 4 muaj të tjerë. Kështu, prej fillimit të muajit të gjithë ata që mbushin moshën e daljes në pension këtë vit e që duan të përfitojnë pension të plotë pleqërie, do të duhet të kenë 38 vite periudhë kontributive nga 37 vite e 8 muaj që ishte një vit më parë.

Ndërsa për gratë, mosha e daljes në pension është 61 vjeç e 8 muaj. Rritja do të vijojë deri në vitin 2052, ku si për gratë edhe për burrat mosha e daljes në pension do të jetë 67 vjeç

NDRYSHIMET

Për ta qartësuar, nëse një vit më parë mosha e daljes në pension për gratë ishte 61 e 4 muaj vjeç, këtë vit bëhet 61 vjeç e 8 muaj. Efektet e skemës së ndryshuar të pensioneve do të ndihen edhe në vitet kontributeve, që duhen plotësuar për të përfituar pension të plotë. Skema parashikon që “portofoli” i sigurimeve të rritet me 4 muaj, përkatësisht nga 37 vite e 8 muaj që ishte një vit më parë të bëhet 38 vite. Kjo nuk vlen vetëm për gratë, por edhe për burrat, të cilët për të marrë pension të plotë duhet të plotësojnë dy kushte, së pari, moshën 65 vjeç, e cila nuk ndryshon deri në vitin 2032 dhe së dyti, vitet e punës, ku për këtë vit pragu është 37 vite e 8 muaj. Janë më shumë se 14 mijë persona që çdo vit mbushin moshën e daljes në pension. Formula e re përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është rreth 8800 lekë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara.

Baza e vlerësueshme është paga e përfituar pas indeksimit me koeficientet korrespondues të çdo viti.

BUXHETI

Për këtë vit janë 4.7 miliardë lekë ose rreth 45 milionë dollarë që do të ndahen, por pjesa më e madhe prej tyre, rreth 3.5 miliardë lekë, do të ndahen si shpërblim me rastin e festave të dhjetorit dhe vetëm 1.2 miliardë lekë ose rreth 10 milionë dollarë janë planifikuar për politika të reja pensionesh. Qeveria, ndryshe nga çfarë pritej, ka vendosur të tkurrë mbështetjen financiare në adresë të kësaj kategorie, të paktën kjo është ajo çka mund të lexohet nga ndarja që i është bërë buxhetit. Rritja e aplikuar në muajin tetor të 2022, pra, indeksimi me 6 për qind që ka nisur të ndahet, ka privuar pensionistët nga rritja që aplikohet në muajin prill.

Por me gjasë, edhe duke iu referuar raportit të një ditë më parë të Bankës Botërore, norma e inflacionit do të vijojë të rritet, çka do të thotë se kriza nuk mund të konsiderohet e tejkaluar në kushtet aktuale, ku projeksionet çojnë në përfundimin se më e keqja ende s’ka trokitur. Konkretisht, për vitin që vjen fondi i indeksimit për pensionet është vetën 1.2 miliardë lekë ose rreth 10 milionë dollarë duke sjellë një rritje modeste, mesatarisht 200 lekë mbi masën e përfitimit për pensionistët./Panorama