Vetëm 5 ditë pas ngjarjes së rëndë, që tronditi vendin, ku u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi dy vëllezër në Durrës, Policia sjell në pranga një djalë të ri. Ishte 2 maji i vitit 2020, ndërkohë që para asaj vrasjeje kishte ndodhur edhe një tjetër, po me dy viktima në të njëjtën zonë.

Djali i arrestuar ishte “tradhtuar” nga një SMS që i kishte çuar Besmir Haxhisë përpara se sa ai bashkë me të vëllanë të binin në pritë. Arrestohet dhe kur Policia i vë para qelizat telefonike, ai dorëzohet, vendos të rrëfehet.

Dëshmia e tij lënë në Prokurori bëri që në vëmendje të vinin sërish Nuredin Dumani dhe Talo Çela për të cilët i riu thoshte: Ata i vranë! Informacioni që la 22-vjeçari, Klevis Alla, aso kohe, në duart e drejtësisë, bëri që të kuptohej se rreth Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës funksiononte një ushtri, persona të ndryshëm, që nga Lezha e deri në Fier.

Por, Policia dhe Prokuroria e morën me ngadalë, duke iu dhënë mundësi këtyre personash të riorganizoheshin në grupe të fuqishme e të dhunshme e të jepnin “punë” e të bënin pazare për koka të mëdha të krimit në vend! E jo vetëm të krimit.

DËSHMIA E ALLËS PËR “BUBIN”

22-vjeçari fillimisht i tha Policisë dhe Prokurorisë se në vrasjet e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdiajt dhe të dy vëllezërve Haxhia morën pjesë Talo Çela dhe Altin Ndoci. Në një dëshmi të mëvonshme tregoi se me ta ishte edhe dikush me emrin Ilir, por që e thërrisnin “Bubi”! Ai refuzoi të ia përmendte emrin derisa u ripyet prapë dhe iu tha autoriteteve:

“Ai është Nuredin Dumani. Po unë kam frikë prej atij se më ka thënë të vras motrën. Ka shumë lidhje në Policinë e Durrësit”.

Në fashikujt hetimorë që gjenden në dosjen paraprake të SPAK-ut bëhen me dije një pikë e rëndësishme e kësaj përballjeje ku Prokuroria e Posaçme veçon një pjesë nga rrëfimi i Allës, i cili tregon frikën që lidhej me emrin e Dumanit dhe nga i vinte kjo frikë.

Nga dëshmia e të riut nga Durrësi konkretisht saktësohet:

“Janë marrë deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë Klevis Alla, i cili fillimisht implikonte veten me të hetuarit Talo Çela, Altin Ndoci dhe një person të quajtur Ilir me nofkën ‘Bubi’. Më pas ai ka saktësuar shtetasi të cilit ai fillimisht i kishte atribuuar nofkën ‘Bubi’, ishte në fakt i hetuari Nuredin Dumani. Këtë fakt ai e argumenton për arsye se Nuredin Dumani ishte një person shumë i rrezikshëm, të cilin ai e njihte shumë mirë, që kishte shumë njohje dhe lidhje në Policinë e Durrësit dhe ai kishte shumë frikë prej tij. Po kështu ka deklaruar se Nuredini e ka kërcënuar nëpërmjet telefonit se do i vriste motrën.

Dëshmia e Allës u dokumentua dhe për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, Policia kohë më vonë do të sillte në pranga edhe dy persona të tjerë. Bëhet fjalë për Besjan Xhixhën nga Larushku i Niklës dhe Enver Divën nga Fushë-Mamurrasi.

Ata u arrestuan dhe mbetën në qeli, deri sa dy ditë më parë, Gjykata dha një tjetër masë arresti për ta, si të përfshirë në një sërë ngjarjesh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./ panorama.al