Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me situatën që ndodhi ditën e djeshme, ku një efektiv i policisë shtyu gazetaren Anila Hoxha dhe një operator, në një zonë ku rrezikonin të binin në greminë.

Çuçi i kërkon falje publikisht gazetares, dhe thotë se drejtori i policisë dhe SHÇBA-së kanë komunikuar me të, dhe efektivi i policisë që kreu aktin është pezulluar nga puna.

“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht.

I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu”, shkruan Çuçi në postimin e tij.

Gazetarja Hoxha dhe operatori u shtynë nga një punonjës i policisë, në vendin ku u gjet trupi i pajetë i biznesmenit të zhdukur Ruzhdi Hoxha. Gazetarja ka paralajmëruar që do të ndjekë penalisht efektivin e policisë për dhunën e ushtruar, teksa kolegët e mediave ishin në krye të detyrës, duke raportuar ngjarjen me mjaft interes për ndjekësit e tyre./Faxweb.al