Nga Evald Serreqi

Foltorja prej kohësh është investuar në realizimin e primareve duke i paraqitur ato si risinë e zgjedhjeve të ardhshme të pushtetit lokal. Kam vënë re se ftesave të vazhdueshme publike të tyre për bashkimin e opozitës, kanë filluar tek tuk ti përgjigjen pozitivisht, edhe individë të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi për mënyrën se si PD funksionoi nga humbja e 2013 e deri më sot. Madje nuk kanë asnjë përgjegjësi as për mënyrën arrogante të qeverisjes së kupolës së PD e LSI para 1 prillit 2013, apo korrupsionit të asaj periudhe. Rasti tipik është ai i zotit Alimehmeti.

Nuk më bëjnë fare përshtypje “të rinjtë” e vjetëruar që kanë kohë që i shërbejnë sunduesve të PD-së si para edhe pas 2013. Ndërkohë që në diskurin e tyre ato flasin për demokratët apo opozitarët e thjeshtë, e vërteta është se me veprimet apo mosveprimet e tyre në fakt ju kanë ofruar opozitën gati të përhershme këtyre të fundit.

Opozitarët (që sipas të gjitha sondazheve janë shumicë sot në Shqipëri) ndahen në disa kategori. Më të zhurmshmit janë militantët e partive, të cilët për fat të keq nuk arrijnë të jenë të kthjellët ta kujtojnë se zoti Rama erdhi në pushtet nga korrupsioni e arroganca e pak individëve e familjarëve të tyre që qeverisnin para 2013. E ndërkohë që militantët janë edhe të dorëzuar para udhëheqjes (zgjedhja e tyre), për fat ekziston edhe një pjesë e opozitarëve të cilët e kanë krejt të qartë se rruga e ndryshimit në Shqipëri është plotësisht e kithët me udhëheqësit aktual të Foltores e Partisë së Lirisë. E di se ato mund ta kënë të vështirë të mësohen me faktin se i përkasin të shkuarës së largët, por dikush duhet t’ja u thotë troç në sy se ato janë të vetmit persona që mbajnë në këmbë këtë qeveri, e këto kryebashkiakë.

Kështu që modestisht kam vetëm një sygjerim për ndonjë të ri me ambicje politike. Nëse vërtetë kërkon që gjërat të ndryshojnë në Shqipëri merre guximin e thuaji disa të vërteta. Mos zgjidh veç mbështetjen e militantëve nën diktat psikologjik, por zgjidh t’i shpëtosh edhe ata “të shkretët”! Sado e vështirë të të duket, zgjidh ta çlirosh Shqipërinë nga një klasë e korruptuar dhe e konsumuar politike e cila prej kohësh bashkëpunon në të mirë të saj e në dëm të të gjithëve ne, në dëm të Shqipërisë!/Egnatia News