Presidenti rus Vladimir Putin shpalli njohjen e pavarësisë së Donetsk dhe Luhansk, dy zona të shkëputura të Ukrainës të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, në një fjalim televiziv drejtuar kombit. Një gjest që përfaqëson një përshkallëzim të krizës ukrainase.

Agjencia e lajmeve TASS raporton se, Kremlini ka bërë të ditur që “presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar se është gati të nënshkruajë një dekret për njohjen e pavarësisë së republikave separatiste të Donbasit për kancelarin gjerman Olaf Sholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron”.

Rebelët e mbështetur nga Rusia në ato zona të vendosura në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, kanë luftuar kundër ushtrisë ukrainase që nga viti 2014, por Moska nuk i ka njohur zyrtarisht republikat e tyre të vetëshpallura.

Ukraina dhe Perëndimi kanë frikë se nëse kjo ndodh, kjo mund ta bëjë Moskën të dërgojë haptazi forca ushtarake në zonë.

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qendrën e Luganskut, kryeqytetin e republikës së shkëputur në lindje të Ukrainës, të hënën vonë. Lajmi u raportua në media menjëherë pasi Puti shpalli njohjen e këtij rajoni si të pavarur.

Shpërthimi ka ndodhur jashtë një ndërtese ku ndodhet zyra e Qendrës së Përbashkët për Kontrollin dhe Koordinimin (JCCC) për armëpushimin dhe stabilizimin e vijës së demarkacionit në Republikën Popullore të Luganskut (LPR).

Pamjet e paverifikuara që qarkullojnë në internet tregojnë një automjet të dëmtuar rëndë në flakë jashtë ndërtesës. Shpërthimi shkatërroi xhamat e ndërtesës, si dhe ndezi alarmet e shumë makinave të parkuara jashtë.