Dëshmia tronditëse e Nuredin Dumanit dhe e Henrik Hoxhës për një mori krimesh të rënda të ndodhura në vendin tonë kanë tronditur së tepërmi jo vetëm për shkak se ka nxjerrë në pah me dhjetëra krime të rënda, por madje edhe për shkakun se kanë dëshmua lidhje me zyrtarë policorë.

Policia e Shtetit vijon kontrolle masive në disa qarqe të vendit, kryesisht Elbasan, Fier, Durrës dhe Lezhë për të bërë të mundur arrestimin e atyre që konsiderohen edhe si kokat e grupeve kriminale, ndërkohë që për të tretën ditë radhazi ata gjenden në Elbasan në kërkim të Talo Çelës dhe të Suel Çelës.

Paralelisht me veprimet policore kanë nisur të veprojnë dhe prokurorët e operacionit të bujshëm, të cilët kanë kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit të dorëzojë në duart e SPAK dosjet për ngjarjet në të cilat dyshohet se kanë marrë pjesë Talo Çela dhe Nuredin Dumani, pasi pretendohet të hetohen që të dy si një grup i strukturuar kriminal.

Po dje u bë me dije se në portin e Durrësit, Policia ka ndaluar edhe të vëllanë e Nuredin Dumanit, i cili mësohet se ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Italisë. Ndalimi i tij, edhe pse nuk është pjesë e 32 urdhër-arresteve të lëshuar nga SPAK ka ardhur për shkak se në dëshmitë e dy dëshmitarëve, ai del shpeshherë si person që gjendet brenda veprimeve të tyre kriminale dhe gjakësore.

Prokuroria e Posaçme po ashtu mësohet se ka kërkuar të marrë edhe dy dosjet e vrasjeve të nënë e djalë nga Durrësi, dosje të mbyllura për shkak se prokuroria e këtij rrethi nuk mundi 10 vite më parë të hidhte dritë mbi dy vrasjet mizore të ndodhura në harkun e 15 muajve. Kështu, SPAK po vijon hetimet për të dokumentuar të plotë aktivitetin kriminal të një ushtrie me vrasës me pagesë, të cilët kanë lëvizur lirshëm për vendin tonë prej të paktën 11 viteve.

DOSJET NË SPAK

Prej dy javësh, Prokuroria e Posaçme ka tërhequr dosjen e vrasjes së Klevis dhe të Fatmira Dedajt. Ata pasi bënë krahasimet e dëshmive të Nuredin Dumanit me të dhënat e pakta që gjendeshin në dosje u bindën se dëshmia e tij është e saktë dhe madje Prokuroria dhe Policia e Durrësit nuk kishin asnjë të dhënë konkrete për autorë të mundshëm të dy vrasjeve të ndodhura në qershor të 2012- ës dhe në shtatorin e 2013-ës.

Dumani hodhi dritë mbi një prej krimeve më të rënda të ndodhura në një dekadë në vendin tonë, duke ia faturuar atë mikut të tij-armik, Talo Çelës, ndërkohë që janë me dhjetëra krime, vrasje, atentate, grabitje, hedhje në erë me mina të telekomanduara të shtëpive dhe bizneseve dhe deri tek atentati i fundit që iu bë një biznesmeni në Tiranë, i cili ishte shënjestruar të vritej si porosi e Suel Çelës. Por interesante ka qenë dëshmia e mikut të Dumanit, i cili ka marrë edhe porosinë për ta kryer atë vraje bashkë me nipçen e tij, Skerdi Tasin, djalin nga Fieri, i cili duket se është aktiv prej disa vitesh në aktivitetin e vrasjeve me pagesë të disa krerëve e të grupeve kriminale.

Sipas Henrik Hoxhës, u bë me dije se porosia ishte marrë që t‘i vritej djali biznesmenit, por meqë ai jetonte në Maqedoni dhe nuk mund të kapej për t’u vrarë, atëherë duhej t’i vritej i ati, akt që më sa duket Hoxha ka refuzuar ta kryejë, pasi në fakt biznesmeni u zu i vetëm dhe në pritë në mesin e ditës, ashtu siç kryheshin një pjesë e mirë e krimeve gjakatare të këtij grupi kriminal.

Tashmë pritet që dosjet në ngarkim të Talo Çelës dhe të Nuredin Dumanit do të merren nga SPAK nga ku do të nisin edhe hetimet intensive për të mësuar fakte dhe detaje që i implikojnë këta dy persona në të paktën 17 ngjarje të rënda kriminale, që në mos bashkë, kanë funksionuar të veçuar dhe kundër njëri-tjetrit!

Kapet në port Roland Dumani, pritet me interes dëshmia e tij

Edhe pse emri i tij nuk gjendej në listën prej 32 personash që duhej të arrestoheshin me urdhër të SPAK, bëhet me dije se është ndaluar ditën e djeshme. Policia e Shtetit nuk ka dhënë detaje për këtë arrestim, por bëhet me dije se në dëshmitë e dy dëshmitarëve të drejtësisë ka dalë jo pak herë emri i tij. Sipas të dhënave, mësohet se ai po tentonte të largohej drejt Italisë kur është ndaluar nga Policia. Policia portuale në Durrës e ka ndaluar Dumanin në kuadër të operacioni “Plumbi i Artë” dhe mësohet se a do të dëshmojë në lidhje me një mori ngjarjesh, për të cilat dyshohet se ka dijeni.

Dyshohet se Roland Dumani mund të ketë dijeni për disa ngjarje ku është përfshire vëllai i tij. Ai do të merret në pyetje dhe mund të ketë informacione lidhur me aktivitetet e përfshira të të vëllait të tij, i cili tashmë po bashkëpunon me drejtësinë. Roland Dumani nuk dihet ende nëse është i përfshirë drejtpërdrejt në ndonjë ngjarje apo edhe si informator. Ndërkohë, gjatë paradites së djeshme kanë vijuar kontrollet e imtësishme në Elbasan nga forcat “Shqiponja” në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”

Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrjet e daljet e qytetit. Objektivi është arrestimi i Talo Çelës, Suel Çelës dhe personave që bashkëpunojnë me ta, ndërkohë që bëhet me dije se i njëjti përkushtim është edhe për arrestimin e Ervis Martinajt në zonën e Lezhës./panorama.al