Një aksident i rëndë me pasojë ka ndodhur para disa ditësh në autostradën Tiranë-Durrës. Ambulanca e spitalit të Sarandës është përplasur së bashku me pacienten brenda, e identifikuar si Arziko Shehu, e cila po transportohej drejt Tiranës por ndërroi jetë.

Nga aksidenti mbeti e plagosur edhe mbesa Anisa, e cila po e shoqëronte drejt rrugës për spital. Në një lidhje me skype për emisionin “Shqipëria Live” u shpreh se shoferi 51-vjeçar, i cili është arrestuar, nuk ishte në gjendje të dehur, por edhe rruga ka pasur ngrica.

Ajo ka rrëfyer se ka marrë dëmtime në kokë dhe në trup nga aksidenti ndërsa shoferit i kishte thënë që të ulte shpejtësinë pasi ishin dhe tre persona të tjerë që po rrezikoheshin. Edhe djali, Genci Shehu foli për “Shqipëria Live” duke sqaruar se nëna po transportohej për Tiranë për një ndërhyrje, po nuk kishte aspak lidhje me koronavirusin. Ndër të tjera theksoi se shoferi i ambulancës nuk kishte respektuar kufizimin e shpejtësisë dhe po drejtonte mjetin me 110 km/h.

Anisa: Nëna ka qenë në gjendje shumë të rëndë, duhet të bënte ndërhyrje. Infermieri thotë se duhet të kthehemi në spitalin më të afërt. U kthyem në Gjirokastër, u kthye në jetë dhe më pas u nisëm prap për në Tiranë. Rreth orës 01:15 të natës u nisëm sërish për në Tiranë dhe menduam se mos bëhej keq gjatë rrugës.

Genci: Nuk na ka ardhur mirë, jemi befasuar sepse nënën tonë, kam faktet se për cfarë shkonte në spitalet e Delvinës dhe Sarandës. Nëna ime nuk ka pasur problem me Covidin sepse kam epikriza për çfarë ka bërë analizën. Më vjen keq, më ka vrarë moralisht lajmi kur e mora vesh në disa media që thonin se ka qenë me Covid. Është nisur për Tiranë sepse kishte nevojë për dializë. Afër spitalit të Gjirokastrës, pësoi vdekje klinike. Na thanë që nuk kanë dializë dhe duhet ta conim me urgjencë në Tiranë.

Anisa: Shoferi ishte me shpejtësi por rruga sa më shumë afroheshe, aq më shumë kishte ngrica, dëborë dhe kjo ndoshta. Unë kam qenë pas dhe ndërkohë më tha infermieri, ulu para sepse nëna ishte në gjendje të rëndë. Makina devijoi në krahë të majtë në anën e murit ndarës të dy rrugëve dhe kur ktheu timonin, doli nga rruga.

Genci: Makina është kthyer përmbys. Me nënën ka qenë infermieri mbrapa. Deri atje, nëna ka qenë në gjendje të mirë. Unë e kam pritur deri në Maminas, atje përfundoi gjithçka. Vetëm aksidenti i mori jetën se ka qenë gjallë nëna. Edhe 2-3 minuta më pas ishte gjallë, por nuk ia doli. Shpejtësia e ambulancës ka qenë mbi 115 km/h. Ambulanca nuk kishte zinxhirë, asnjëri nuk kishte rripa sigurimi.

Top Channel