Novak Djokovic nuk do të luajë në grand slamin Australian Open, nëse rregullat për vaksinim kundër Covi-19 nuk lehtësohen, ka thënë babai i tenistit serb dhe 9 herë kampionit të këtij turneu, Srdjan Djokovic.

Lojtarët e pavaksinuar nuk do të lejohen të garojnë në turneun e 2022-s dhe kampioni në fuqi, Djokovic, nuk është i vaksinuar.

Djokovic nuk ka treguar nëse është vaksinuar apo jo, por duke i marrë parasysh qëndrimet e tij për vaksinën në të kaluarën dhe faktin se ka kërkuar që lojtarët të mos kushtëzohen me vaksinë për të garuar, nënkupton se ai është i pavaksinuar.

Duke folur për televizionin shtetëror serb, Srdjan Djokovic tha: “Nën këto kushte dhe këto shantazhe, ai mbase nuk do të luajë”.

“Unë nuk do të luaja. Dhe ai është djali im, duhet ta kuptoni vetë nëse ai do të luajë apo jo”, shtoi ai.

Rafael Nadal ka thënë se do të marrë pjesë në kë turne, i cili zhvillohet nga 17 deri më 30 janar në Melbourne, por Roger Federer do të mungojë për shkak se është duke u riaftësuar nga operacioni në gju.

Drejtori i turneut Australian Open, Craig Tiley, ka thënë se 85% të lojtarëve profesionistë janë të vaksinuar dhe pret që kjo shifër të rritet rreth 90-95% deri në fillim të tij, i cili është i ndaluar edhe për stafin dhe tifozët e pavaksinuar.

Duke folur për vaksinën babai i tenistit serb shtoi: “Marrja apo jo e vaksinës është e drejtë personale e secilit. Askush nuk ka të drejtë të futet në privatësinë tonë”.