Policia ukrainase ka vënë në pranga dy persona në Lviv, të cilët dyshohen se i jepnin informacion Rusisë mbi lëvizjet e ushtrisë së Ukrainës.

Kreu i administratës ushtarake rajonale në Lviv, Maksym Kozytskyi tha se në telefonat e të arrestuarve janë gjetur video dhe foto të lëvizjeve ushtarake të Ukrainës.

“Në Avenue Chornovil në Lviv, patrullat ndaluan një makinë të dyshimtë. Duke kontrolluar dokumentet dhe telefonin e shoferit, policia gjeti video dhe foto të lëvizjeve tona ushtarake. Ai gjithashtu kishte foto pasaporta të burrave me regjistrim në Luhansk dhe shumë kontakte me numra rusë”, tha Kozytskyi.

Lviv u godit të shtunën nga dy grupe sulmesh me raketa, një prej të cilave goditi një depo nafte dhe u deshën disa orë që zjarrfikësit të shuanin flakët. Kozytskyi tha se policia që shkoi në vendin ku sulmuan raketat arrestoi një burrë që dyshohet se po filmonte dëmet që ishin bërë, ndërsa në telefonin e tij u gjetën foto të pikave të kontrollit në rajon që ishin dërguar në numrat rusë.