Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Bindjes Demokratike në Elbasan, Erion Murataj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se politikanët e vjetër i kanë sjellë vetëm të këqija vendit, andaj nga ata nuk mund të priten ndryshime.

Murataj theksoi se Bindja Demokratike do të marrë së paku 15 mandate në rang kombëtar.https://www.youtube.com/embed/ffsgpXw27r8?feature=oembed

“Intimidimi i qytetarëve vjen nga pushteti. Skamja dhe varfëria duhet të marrë fund. Ka ardhur koha për rotacion të elitave. Premtimet kanë qenë boshe dhe vijnë e na premtojnë ujë e drita 24 orë më 2021. Politikanët e vjetër janë të shkëputur nga realiteti. Bindja Demokratike nuk ka të parë, BD është e vetmja forcë politike me lista të hapura.

Politikanët e vjetër fshihen pas numrave. Të rinjtë në Shqipëri mund t’ia dalin. Ne nuk jemi paterica e askujt. Sot rinia duhet të jetë bashkë, bashkë më prindërit dhe gjyshërit tanë. Bindja Demokratike do të fitojë mbi 15 mandate në rang kombëtar. Kjo sepse njerëzit tanë janë afër qytetarëve. Kjo luftë mund të fitohet vetëm nga ata që janë realisht me rininë”, tha Murataj.

Erion Murataj iu bën thirrje të rinjve, që të bëhen bashkë dhe të besojnë tek Bindja Demokratike, për ndryshimin e shumëpritur.

“Politika ka qenë e korruptuar gjatë gjithë kësaj kohe. I bëj thirrje çdo prindi, çdo gjyshi e gjysheje, që të bëjnë një reflektim. Besoni tek të rinjtë, sepse e ardhmja është tek ta. Jam nipi i një gjenerali dhe di të them se politika ka shfrytëzuar elementët kriminalë.

T’i kthejmë fytyrën Elbasanit. Elbasani është qyteti i kulturës, i arsimit dhe vlerave e ne do ta kthejmë të tillë. Politikanët që kanë bërë 1997-tën, që kanë sjellë kanabizimin e vendit më 2015 e 2016 nuk mund të sjellin ndryshimin. Qytetarët jam i bindur se do të votojnë Bindjen Demokratike, numrin katër”, u shpreh Murataj.