Një nga bosët e drogës më të kërkuar në Evropë, një belg me diplomë master në kriminologji, është arrestuar në Zvicër pas dy vitesh në arrati.

Flor Bressers, 35 vjeç, i njohur me nofkën “prerësi i gishtave”, është kërkuar që nga viti 2020 kur ai u dënua me katër vjet burg për rrëmbim, prerje me brisk dhe rrahjen e një luleshitës holandez i cili nuk arriti të kontrabandonte drogën në doganat e Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ishte proceduar më parë në vitin 2010 në Limburg për prerjen e gishtit të një krimineli holandez me gërshërë krasitjeje. Ai u shpall i pafajshëm për mungesë provash, por ngjarja e supozuar i dha pseudonimin, “prerësi i gishtave”.

Bressers ka qenë i lidhur nëpërmjet shumë rasteve me një bandë narkotike që vepronte në Antwerp që besohet se kishte kontrabanduar disa ton kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë .
Ai ishte në listën e më të kërkuarve si në Belgjikë ashtu edhe në Europol për rrëmbim, kufizim të paligjshëm dhe pengmarrje dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Mendohej se Bressers ishte fshehur në Afrikën e Jugut, por ai u arrestua në Cyrih ku u gjet me partneren dhe fëmijën e tij. Autoritetet belge kanë kërkuar ekstradimin e tij. /abcnews.al/