Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kujtuar në ditën e lindjes mikrobiologun e shquar Bilal Golemi, themelues i mjekësisë veterinare, i përzgjedhur në vitet ’50 nga Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë si një prej ekspertëve më të vyer të saj.

Mesazhi i Presidentit Meta në Facebook:

Në ditën e tij të lindjes, nderojmë sot kujtimin e një prej korifejve të shkencës shqiptare me dimensione ndërkombëtare, mikrobiologun e shquar, Bilal Golemi.
Një nga etërit themelues të mjekësisë sonë veterinare, ai ishte i pari që hapi laboratorin bakterologjik dhe hartoi ligjin mbi shërbimin veterinar, që falë ideve progresive dhe një veprimtarie të jashtëzakonshme shkencore, do të përzgjidhej në vitet ’50 nga Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë, si një prej ekspertëve më të vyer të saj.
Edhe pse i ndarë nga jeta në moshë të re, kontributi dhe vepra e Bilal Golemit, kanë zënë vendin e merituar në panteonin e vlerave të shkencës shqiptare, duke mbetur një model frymëzues për gjeneratat e reja.
Në këto kohë plot sfida për mjekësinë, i nxis të rinjtë shqiptarë të fokusohen te shkencat e aplikuara si veterinaria dhe mikrobiologjia, që garantojnë vende të sigurta pune dhe karrierë të suksesshme.

Koha jonë