Gjykata e Posaçme ka përfunduar një tjetër seancë për grupin e Çapjave. Burime për ABC bëjnë të ditur se janë marrë në pyetje tre dëshmitarë, të cilët i penduari Ervis Bardhi ka qëndruar me ta gjatë kohës që ishte në burg.

Ndërkohë GJKKO ka lënë detyrë prokurorisë që të vijojë hetimet e mëtejshme për të hedhur dritë në lidhje me komunikimet që Ervis Bardhi kishte gjatë kohës që ndodhej në burg. Seanca tjetër në GJKKO do të zhvillohet pas dy javësh.

Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi nën hundën e Policisë, ndërkohë që Çapjan nuk e pranuan asnjëherë të jenë ata autorët e asaj ngjarjeje të rëndë. Në këtë çështje, pretendohet se personi që ka marrë pjesë direkt në vrasje, Ervis Bardhi, është penduar për krimin e kryer duke vendosur të bashkëpunojë dhe të flasë, duke treguar gjithçka ka ndodhur ditën e vrasjes.

Si pasojë e dëshmisë së tij dhe provave të mbledhura, fillimisht Prokuroria arrestoi Ardjan Çapjan dhe tre persona të tjerë në Elbasan. Ndërsa në kërkim u shpallën Jorgo Leku dhe Florenc Çapja, të cilët tashmë gjenden në vendet respektive ku jetojnë Athinë dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Raportohet se gruaja e tij pagoi rreth 55 mijë euro për ta liruar nga qelia me kusht. /abcnews.al/