Ministri i drejtësisë Ulsi Manja ka deklaruar se harta e re gjyqësore, e propozuar nga KLGJ, nuk do të ketë kthim pas, dhe pas miratimit nga Ministria e Financave do të dërgohet në qeveri.

Në një deklaratë për mediat Manja bëri me dije se ditën e nesërme do t’u kthejë përgjigje të gjitha pyetjeve në lidhje me këtë çështje në Komisionin e Ligjeve, i cili do të merret me këtë çështje.

Të gjitha diskutimet mbi hartën kemi lënë një ditë të dedikuar, do të kemi përgjigjet e duhura nesër në Komisionin e Ligjeve. Nesër do të shkojmë në respekt të Komisionit të Ligjeve, pas seancës dëgjimore nesër në Komisionin e ligjeve dhe miratimin nga Ministria e Financave, harta do të shkojë në qeveri për miratim”, tha ai.

Harta e re gjyqësore, e propozuar nga KLGJ, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, pritet që të reduktojë ndjeshëm numrin e gjyakatave në rang vendi, duke nisur nga ato të shkallës së parë, te lënia e vetëm një gjykate apeli në Tiranë, dhe mbyllja e disa administrativeve.

Prej javësh kjo hartë është kundërshtuar nga avokatët, të cilët kanë bojkotuar seancat gjyqësore.