Banorët e Zall Gjocajt, të cilët tashmë prej tre vitesh protestojnë kundër ndërtimit të hidrocentralit në zonën e tyre, kanë dalë në protestë ditën e sotme para Gjykatës Administrative të Apelit, pasi sipas tyre pas proceseve të shumta gjyqësore ende nuk kanë marrë një përgjigje për problematikën e tyre.

Në lidhje me këtë protestë ka reaguar dhe gjykata Administrative, e cila e lidh modhënien e një vendimi për ndërtimin e HEC-eve në Zall-Zoçaj, me volumin e madh të dosjeve që janë në këtë gjykatë dhe numrin e reduktuar të trupës gjykuese prej 7 gjyqtarësh.

DEKLARATË

Sot, në datën 30.6.2021, përpara godinës së Gjykatës Administrative të Apelit është zhvilluar një protestë nga disa persona, për të cilët disa media kanë raportuar se janë banorë të fshatit Zall Gjoçaj, protestë e cila ka patur në fokusin e saj shqyrtimin nga Gjykata Administrative e Apelit të çështjeve të lidhura me kundërshtimin e ndërtimit të HEC-eve në zonën ku ata banojnë, ndërtime të cilat sipas tyre prishin ekosistemin e zonës.

Lidhur me sa më sipër, Gjykata Administrative e Apelit, sqaron se pranë Gjykatës janë regjistruar disa çështje me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të deklaratave të mjedisit, të urdhrave të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të lejeve të ndërtimit e përdorimit të burimeve ujore. Bëjmë me dije opinionin publik se aktualisht në Gjykatën Administrative të Apelit presin për t’u gjykuar mbi 16.850 çështje gjyqësore nga një trupë gjyqësore efektive e përbërë prej 7 gjyqtarësh, pra një gjyqtar ka përafërsisht një ngarkesë prej rreth 2400 dosjesh gjyqësore në gjykim.

Për shkak të kësaj ngarkese, nga ana e trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit janë ende duke u gjykuar çështjet e regjistruara pranë kësaj gjykate në vitin 2016, ndërkohë që çështjet e përmendura më sipër janë regjistruar për gjykim në vitet 2020 e 2021. Në kuadër të kësaj ngarkese çështjesh në shqyrtim, në respektim të legjislacionit në fuqi, në çdo rast të paraqitjes së kërkesave për përshpejtim gjykimi nga palët ndërgjyqëse, kërkesa është marrë në shqyrtim dhe gjyqtari relator ka disponuar me vendim lidhur me këto kërkesa. Për çështjet e mësipërme, kërkesat e paraqitura pranë Gjykatës për përshpejtimin e gjykimit janë duke u shqyrtuar nga ana e gjyqtarëve relatorë.

Gjykata Administrative e Apelit, garanton opinionin publik se ka angazhimin maksimal për shqyrtimin e të gjithë çështjeve me paanshmëri, përgjegjësi e profesionalizëm, brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm, në përputhje me kapacitetet njerëzore dhe mundësinë reale të saj, duke kërkuar mirëkuptimin e gjithë aktorëve në përballimin e kësaj situate të vështirë në të cilën ndodhet jo vetëm kjo gjykatë, por i gjithë sistemi i drejtësisë në vendin tonë.

Njëherësh, kërkojmë nga çdo subjekt publik apo privat, që në kuadër të respektimit të parimit kushtetues të garantimit të pavarësisë së gjyqtarëve, të shmangë çdo lloj presioni, ndërhyrjeje apo veprimi tjetër që ndikon negativisht në ushtrimin e veprimtarisë së gjykatës për dhënien e drejtësisë. Çdo sjellje e kundërt shkel parimet e pavarësisë e paanësisë së gjyqtarit dhe është e papranueshme në një shtet të së drejtës.

fax