Media amerikane kanë shkruar së fundmi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë vendosur sanksione ndaj Roman Abramovich dhe kjo me kërkesë të presidentit ukrainas, Zelensky.

Sipas “Wall Street Journal”, Zelensky i kërkoi homologut amerikan që të priste me sanksionet e parashikuara ndaj oligarkut rus, për shkak të rolit që ish-presidenti i Chelsea mund të luante për lehtësimin e negociatave për paqe me Rusinë.

Në fillim të muajit mars, zyrtarët e Departamentit të Thesarit kishin përgatitur një draft me sanksione ndaj Abramovich. Por përpara se ato të shpalleshin, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i kërkoi Thesarit të presë pasi oligarku mund të luante një rol kyç në bisedimet mes Kievit dhe Moskës.

Vonesa e këtyre sanksioneve ndaj ish-presidentit të Chelsea ishte një lëvizje e papritur në strategjinë e Perëndimit për të dënuar oligarkët e lidhur me Kremlinin dhe presidentin rus.

Ndonëse ka shumë oligarkë që janë shprehur kundër kësaj lufte, Abramovich është i vetmi që është vetëofruar për të shtyrë Kremlinin drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.