Kurbin- Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, operacioni policor antikanabis i koduar “Trinomi”. Policia zbulon katin e parë të një banese, të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba, si dhe një sasi lënde narkotike.

Gjithashtu, në këtë banesë evidentohet lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, si dhe ndërtimi pa leje i një dhome shtesë. Sekuestrohen lëndë narkotike dhe bimë narkotike të kultivuara në vazo, pajisje të ndryshme elektrike dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre me detyrë elektricist pranë OSHEE Kurbin, si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të kontrolleve të pandërprera për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, prodhimit dhe shitjes së tyre, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar “Trinomi”

Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: D. G., 28 vjeç, banues në Kurbin, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Y. P., 24 vjeç, banues në Burrel, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Fushë Milot, Kurbin, kishin përshtatur katin e parë të banesës së shtetasit Y. P., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrolllit në banesë u konstatua se këta shtetas kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, si dhe kishin ndërtuar një dhomë shtesë, pa leje.

Gjithashtu është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xh. N., 53 vjeç, banues në Milot, Kurbin, me detyrë faturist pranë OSHEE Kurbin, pasi dyshohet se ka lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që furnizonte ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan 271 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo, 2 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për kultivimin e bimëve narkotike etj.

Nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Vijon….