Çmimet për udhëtimet ndërkombëtare pritet të rriten këtë vit, për shkak të kërkesës së madhe dhe numrit më të ulët të avionëve në shërbim. Shefi ekzekutiv i booking.com, Glen Fogel tha për BBC se çmimet kanë nisur që tani të rriten.

“Kërkesa ështe e madhe. Të gjithë duan të udhëtojnë, por ne duam që ta bëjmë në mënyrë sa më të sigurt”, u shpreh ai.

Shumë kompani ajrore kanë reduktuar në mënyrë të konsiderueshme numrin e fluturimeve për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

Pavarësisht kërkesës në rritje, pasiguria e bën të vështirë për kompanitë të planifikojnë rikthimin e më shumë avionëve në shërbim.

John Grant, analist i aviacionit pajtohet se kjo gjë do të ketë ndikim të konsiderueshëm në udhëtime, ndërkohë që kufizimet hiqen.

“Algoritmet e kompanive ajrore do ta vërejnë rritjen e kërkesës dhe çmimet do të rriten në përputhje me kërkesën.”

Mungesa e qartësisë rreth asaj se si do ta njohin qeveritë vaksinimin dhe statusin e testimit nga shtetet tjera, po shqetëson industrinë e udhëtimit, e cila është dëmtuar rëndë nga pandemia e koronavirusit.