Edhe pse ka disa kohë që nuk është aktive me projektet muzikore, Eni Koçi qëndron pranë fansave të saj nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.

Këto ditë, ajo ka treguar se po pushon në Shqipëri, kryesisht në vende malore së bashku me partnerin e saj, Genc Prelvukaj.

Destinacioni i radhës për çiftin ka qenë Thethi ku ata kanë shijuar bukuritë e veriut të vendit.

Megjithatë duket se nga ky udhëtim, këngëtarja ka pësuar një incident të vogël.

“U ruajta sa u ruajta për të mos u rrëzuar kur dolëm nëpër male dhe si përfundim u rrëzova sa dola nga makina “, ka shkruar ajo krahas një fotoje ku duket gjuri i fashuar.

Por kjo sigurisht që nuk e ka penguar artisten që të kënaqet këto ditë në Theth, ku dhe ka publikuar foto e video duke shijuar jo vetëm natyrën, por edhe ushqimin tradicional të zonës.

Dyshja janë një nga çiftet më simpatikë të showbizit shqiptarë. Edhe pse kanë vite që e kanë bërë publike dashurinë e tyre, shumë pak dimë se si ka nisur gjithçka mes dyshes dhe ç’planesh kanë ata për të ardhmen.

Por më herët, gjatë një bisede virtuale me ndjekësit, Eni ka treguar gjithçka që nuk kemi ditur më parë për çiftin. Ajo ka treguar se me Gencin është njohur gjatë një turneu në Amerikë dhe se asokohe mendonte se ai ishte shumë mendjemadh e komenti i Gretës për këtë rast ka qenë epik.

“Me Gencin jemi njohur në një turne në Amerikë. Të them të drejtën në fillim më është dukur shumë mendjemadh dhe i thashë Gretës ‘obobo si do e shtyjmë në turne, ky as muhabet s’do na bëj’ dhe përgjigja e Gretës ishte: ‘Eha sa e vret mendjen, sikur do bëjmë krushqi me të’. Përfundimin e dini besoj”, ka treguar Eni.