Carla Del Ponte, ish-kryeprokurorja e gjykatës së Kombeve të Bashkuara, e cila hetoi krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe Ruanda, ka kërkuar që të lëshohet një urdhër arresti ndërkombëtar për presidentin rus Vladimir Putin.

Putini është një kriminel lufte”, tha Carla Del Ponte për gazetën zvicerane Le Temps në një intervistë të botuar të shtunën.

Ajo theksoi gjithashtu se ishte jashtëzakonisht e tronditur nga përdorimi i varreve masive në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, gjë që i kujton kohërat më të këqija në ish-Jugosllavi.

“Shpresoja të mos shihja më kurrë varreza masive. Këta të vdekur kanë të dashur që as nuk e dinë se çfarë po ndodh me ta. Kjo është e papranueshme”, tha ajo.

Del Ponte shtoi se hetimi në Ukrainë do të ishte më i lehtë se ai në Jugosllavi sepse vetë vendi kishte kërkuar një hetim ndërkombëtar.

“Nëse GJNP-ja gjen prova të krimeve të luftës, duhet të ngjiten në zinxhirin komandues derisa të arrin tek ata që morën vendimet”, tha ajo.

Si referencë ish-prokurorja zviceriane mori rastin e Sllobodan Millosheviçit, i cili në momentin e nisjes së hetimeve për krime lufte ishte ende president i Serbisë. Duke ndjekur të njëjtën analogji, ajo tha se ishte e mundur që edhe Putini të vihet përpara përgjegjësisë.

“Nuk duhet ta lëshoni, vazhdoni hetimin. Kur filloi hetimi për Sllobodan Millosheviqin, ai ishte ende president i Serbisë. Kush do ta kishte menduar atëherë se një ditë do të gjykohej? Askush”, theksoi ajo.