Saimir Boshnjaku, Drejtor i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, pas takimit me hologun e palës greke, në Kakavijë, ka folur në lidhje me radhët që krijohen në këtë pikë kufitare për shkak të numrit të madh të qytetarëve që hyjnë e dalin në dy vendet tona.

Boshnjaku tha se radhët për momentin kanë qenë në nivele normale dhe me palën greke po punohet çdo ditë që qytetarët të marrin shërbim në një kohë sa më të shpejtë.

Gjatë ditës së sotme ishte parashikuar dhe një takim mes ministrit Balla dhe homogut grek, por u shty për shkak të trazirave që kanë ndodhur në Greqi, mes tifozëve të AEK dhe të Dinamos së Zagrebit, ku humbi jetën një i ri.

Deklarata e plotë e Boshnjakut:

Patëm një takim sot me Drejtorin e Policisë Kufitare të palës greke lidhur me menaxhimin e situatës në pikat e kalimit në kufirin me Greqinë.

Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, themi se situata është normale, pavarësisht  se fluksi i rritjes së qytetarëve po shtohet dita-ditës.

Besoj që i kemi marrë këto masa dhe do të jemi shumë eficient te pjesa e menaxhimit të kalimit.

Me palën greke, sidomos me Departamentin e Policisë Kufitare dhe Emigracionit, ky bashkëpunim ka qenë i vazhdueshëm, është real dhe do të jetë i prekshëm edhe nga qytetarët.

Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, në raste kur ka pasur radhë, të cilat për momentin janë të pranueshme dhe në nivele normale, por besojmë që me bashkëpunimin mes dy palëve dhe me masat që do të merren në të dy anët e kufirit, situata do të jetë në kushte normale.

Falënderojmë edhe palën greke për gatishmërinë që kanë treguar në bashkëpunimin me palën shqiptare dhe besojmë që kjo do të jetë një arritje shumë e mirë për këtë sezon turistik. Faleminderit