Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të pajisen me sistemet më të mira raketore antitank “Javelin”.

Para pak ditësh, kompania prodhuese e këtyre sistemeve “Lockheed-Raytheon JV” njoftoi se ditur se krahas Norvegjisë, Letonisë dhe Tajlandës do të prodhojnë “Javelin” edhe për Shqipërinë.

Por, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, garantoi dje se Shqipëria si vend anëtar e NATO-s është e sigurt dhe nuk ka kërcënim nga rreziku rus.

Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Peleshi u shpreh se pajisja e Shqipërisë me këto raketa ka qenë e planifikuar që më parë, megjithëse e pranoi se agresioni rus e ka detyruar vendin të shtojë përpjekjet për modernizimin e forcave të armatosura.

I pyetur nga gazetarët, pse Shqipëria u armatos me raketa antitank, Peleshi u shpreh se kjo ka qenë e planifikuar para agresionit rus. Ministri i Mbrojtjes, shtoi se lufta në Ukrainë ka ndikuar sigurisht në shtimin e fondeve për ushtrinë shqiptare. Por sipas tij, Shqipëria nuk është e kërcënuar nga lufta në Ukrainë, pasi është një vend anëtar i NATOs.

“Ka qenë e planifikuar më parë, para se të fillonte agresioni në Ukrainë. Pra, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me agresionin, por natyrisht agresioni na ka vënë para një fakti, që është shtimi i përpjekjeve dhe buxheteve për modernizimin e Forcave të Armatosura. Kështu që, në mos ky projekt, projekte të tjera po kanë lidhje me agresionin. Ne po shtojmë përpjekjet dhe buxhetin për Forcat tona të Armatosura.

Për ta thënë edhe njëherë me zë të lartë, që Shqipëria është e sigurt, është aleate në NATO. Nuk kemi një kërcënim konkret, para të cilit duhet të përgjigjemi me mjetet tona të brendshme.

Jemi në NATO, që mbron çdo centimetër. NATO reagon sa herë preket një pëllëmbë tokë.

Pra, nuk bëhet fjalë për një rrezik, por nga ana tjetër NATO ka forcuar dukshëm krahun e vet lindor, në kufi me Rusinë. Krahu lindor e tejkalon forcën e rivalëve të vlerave tona në lindje”, theksoi Peleshi.