Jurgis Çyrbja u rendit i katërti në listën e deputetëve të Partisë Socialiste sa i takon votës preferenciale.
Në fushatë ai u angazhua në zona të vështira elektorale dhe që deri disa vite më parë njiheshin si bastione të opozitës.
Çyrbja mbuloi Bashkinë e Shijakut, Manzën dhe rrethinat e tjera në dy fushata elektorale, duke u zgjedhur deputet dy herë rresht.
Në 2021, të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se ai siguroi personalisht gati 6600 vota, edhe pse ishte më i riu në fushatë dhe pa përvojën politike të të tjerëve, duke u rënditur i katërti në listën e fituesve për numrin e votave personale, pas Edi Ramës, Lefter Kokës dhe Rrahman Rrajës.
Por, karriera në ngjitje në shkallët e politikës e Jurgis Çyrbes u ndërpre pas komunikimit nga SPAK të marrjes së tij zyrtarisht të pandehur me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Burime të Voxnews.al pohojnë se bëhet fjalë për akuzën e mbivendosjes së një prone me sipërfaqe dhe vlerë të papërfillshme në Durrës, që sugjeron se më shumë se sa shpërdorim detyre në kohën kur ka qenë drejtues i hipotekës, veprimi i Jurgis Çyrbes në atë kohë ka qenë një lapsus nga pakujdesia.
Megjithatë, deputeti i qarkut të Durrësit vendosi të lërë mandatin dhe të përballet me drejtësinë i zhveshur nga imuniteti që i jep vota e qytetarëve të Shijakut dhe gjithë Durrësit, duke mos pritur që SPAK të kërkonte heqjen e imunitetit të tij.Vetë Jurgis Çyrbja mund të dijë më shumë, por marrja e tij si i pandehur nga SPAK dhe lënia e mandatit përkon në një kohë kur zërat për një rikthim në koalicionin e majtë të kreut të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka janë shtuar, sidomos në Durrës e Shijak.
As Duka dhe as nga Partia Socialiste nuk kanë komentuar publikisht këto zëra, por bisedimet nën rrogoz mes palëve duket se kanë prodhuar ‘viktimën’ e parë të lëvizjeve politike të mëdha të Edi Ramës në kërkim të mandatit të katërt qeverisës.
Lëvizja mund t’u sigurojë socialistëve një mbështetje më të madhe se 6600 votat e Jurgis Çyrbes, pasi Shijaku dhe rrethinat njihen si bastion dhe hambar votash i Agron Dukës, që për shkak të lidhjeve familjare, sipërmarrëse dhe origjinës mund të shumëfishojë mbështetjen nën, apo me logon e Partisë Socialiste në krah.(Vox news)