Kryeministri Edi Rama ka prezantuar drejtoren e re të SHISH, Vlora Hyseni, një ditë pas dekretimit të saj nga presidenti Bajram Begaj. Rama shfaqet në shoqërinë e ministrave Bledi Çuçi, Niko Peleshi dhe Ulsi Manjan.

“Tiranë – Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga Presidenti i Republikës”, shkruan Rama në faqen e tij në Facebook.

Hyseni më herët ka mbajtur postin e zëvendës kryetares së Agjencisë  së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Ajo u emërua për një mandat pesë vjeçar nga presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Më pas shkarkimi i saj u bë nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, në qershor të vitit 2021, me pretendimin se kishte lidhje me Serbinë.

Më herët, Presidenti Bajram Begaj dekretoi në 23 dhjetor 2022 lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ i Shtetit, Helidon Bendo, i cili ishte emëruar në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në datën 5 nëntor 2018.