Sot është një ditë me përmasa historike për SHBA-në, teksa ish-presidenti, Donald Trump  do të dalë para gjyqit, në një nga rastet e rralla që një ish-president akuzohet për krime.

Historia e ish-presidentit amerikan me yllin e njohur porno mund të konsiderohet një krim për shtetin e Nju Jorkut, ku Trump përballet me akuza penale në shtëpi, pra në shtetin ku ai lulëzoi për dekada në biznes dhe ishte trampolinë për ngritjen e tij në detyrën më të lartë të vendit.Megjithatë, në një periudhë të paprecedentë, për një ish-president të SHBA-së, Donald Trump mbërriti ditën e djeshme me avion nga resorti i tij, Mar-a-Lago në Florida, përsëri në Nju Jork, për të kaluar natën në Kullën Trump, në zemër të Manhatan-it, rreth të cilit janë vendosur gardhe metalike.

Nga frika e incidenteve të rënda, 35.000 policë të Nju Jorkut janë në gatishmëri ndërkohë që është rrethuar edhe zona përreth gjykatës së Manhatanit, pasi askush nuk mund të parashikojë reagimin e mbështetësve fanatikë dhe të zemëruar të ish-presidentit amerikan.

Ish-presidenti amerikan, i përballur me akuza penale për herë të parë, pritet të kthehet në shtëpinë e tij në Florida sonte, sipas ndihmësve të tij, pasi më parë është përballur me magjistratët e Nju Jorkut.

Megjithatë, sipas burimeve besojnë se Donald Trump është duke u hetuar nga Prokurori i Qarkut të Manhattan, Alvin Bragg për falsifikimin e të dhënave të biznesit në rastin e financimit të yllit të njohur porno me 130,000 dollarë, nëpërmjet një ndërmjetësi.

Avokati i Trump, Michael Cohen thuhet se ka vepruar si ndërmjetësi për pagesën e Daniels, por pagesat për yllin porno dyshohet se janë regjistruar në mënyrë të rreme në të dhënat e biznesit të ish-presidentit amerikan si tarifa ligjore.

Sipas procedurës, Donald Trump do të mbërrijë në gjykatën e Manhattan i shoqëruar nga Shërbimi Sekret.

Ndryshe nga sa pritet, ai nuk pritet të vihet në pranga, siç ndodh në raste të ngjashme, por do t’i merren shenjat e gishtave dhe do të fotografohet, përpara se të kryhen procedurat burokratike.

Më pas përballë gjyqtarit do të akuzohet ish-presidenti amerikan dhe pritet sipas informacioneve që ai të deklarohet i pafajshëm, ndërsa skenari më i mundshëm është që ai të lirohet me kusht.