Para se të fillonte fjalimin e tij për të arsyetuar përse lushnjarët duhet të votonin Sefën, Rama u ndal tek situata në Ukrainë duke thënë se të rinjtë e pranishëm duhet ta konsideronin veten me fat që nuk ishin në kushte lufte.

Kryeministri Edi Rama: Në fund të fundit përtej të gjithë dallimeve nga pikëpamja e gjeografisë dhe e politikë dhe historisë mes nesh dhe atyre që prej ditësh janë në terrorin e tankeve dhe sulmeve të egra mbi gjithçka që kishin deri dje, prapë se prapë ngjashmëritë janë shumë të mëdha. E nisa kështu për të thënë se jo vetëm ne këtu po edhe të tjerët prej shumë e shumë vitesh e kishin marrë si të mirëqenë gjithçka që kishin duke menduar se ato që kishin ndodhur më parë nuk do përsëriteshin kurrë. Ja pra që u përsëriskan, ja pra që liria është gjithçka dhe ja që atdheu është diçka që ne duhet ta mbrojmë me jetën tonë.

E kam takuar presidentin e Ukrainës e kam takuar, është një personazh i veçantë por ja që në kushtet e një lufte të tillë, ku ai është në qendër të sulmeve dhe planeve për ta eleminuar, ai u kthye në një personazh frymëzues për të gjithë botën. Pse? Sepse ai solli në dukje domosdoshmërinë e lirisë për të zgjedhur dhe për t’ju përgjigjur zgjedhësve. Kjo e jona është një betejë e përditshme e pakrahasueshme me luftën për ekzistencë të ukrainasve sot, me luftën për ekzistencë të familjeve të tyre.

Por nuk është më pak e çmueshme sesa liria e tyre nëse ne mësohemi ta vlerësojmë dhe jo ta nëpërkëmbim gjithë kohës sikur të mos ketë pikën e vlerës. Parapërfytyroni sesa sa shumë të gjithë ata bashkëmoshatarët tuaj të donin të ishin sot në vendin tuaj, të kishin mundësinë për t’u mbledhur në këtë ditë të bukur për të marrë pjesë në një takim dhe më pas të shkonin në shtëpi të patrazuar. Do të thotë se në këto momente duhet të vlerësojmë shumë atë që ne kemi dhe kësaj gjëje t’i japim respekt dhe të mos e shpërdorojmë dhe të abuzojmë me të.