Pas mesditës së sotme, janë mbajtur homazhet për nënkomisarin e vrarë në Lezhë, Saimir Hoxha. Zyrtarisht ai është shpallur dëshmor i kombit dhe gjithashtu është dhënë edhe një dekoratë nga ana e presidentit Ilir Meta.

Ndërsa pas presidentit, Ilir Meta, kryedemokratit të PD Lulzim Basha, është shfaqur për të bërë homazhet ndaj nënkomisarit të ndjerë edhe kryeministri Edi Rama.

Rama: Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të policisë dhe për shoqërinë. Por mbi të gjitha për familjen. Jam për të shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes dhe të gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë dëshmor të ri të atdheut. Dua t’ju bëj me dije se qeveria sot ka vendosur mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen. Me të hyrë në fuqi ligji për fëmijët nënë kujdesin e republikës, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri kur të arrijnë në moshën e pjekurisë. Nuk ka mbëstetje që kompenson zbrazëtinë për familjen por përgjegjësia jonë është që fëmijët e dëshmorëve të mos mbeten vetëm por të ndihen deri në fund të përkrahur për të hyrë në rrugën e jetës së tyre, duke qenë krenar jo vetëm për prindin por edhe shtetin.