Në fund të mbledhjes së kryesisë së PS-së, Edi Rama u tha gazetarëve se në 14 Maj përballen socialistët, me persona të shpallur non grata nga SHBA-të.

I pyetur për deklaratat e tij se do të ndërpriten fondet për bashkitë që do të zgjedhin përfaqësuesit e opozitës, Rama tha se e gjithë lufta e kundërshtarëve bëhet për të krijuar zona të qeverisjes vendore, që do të pengojnë përparimin e zhvillimit.

Rama: Do kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë, aq sa do të na shpërbljeë për punën që kemi bërë, aq do të na motivojë për punën që do të bëjmë. Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që kanë qytetarët në çdo bashki.

Jemi në një moment kur kemi nisur rritjen më të lartë historike të pagave në këto 3 dekada, flet qartë për rritjen e mundësive të ekonomisë. Ka filluar dhe do të përfundojë në vitin e ardhshëm rritja e pagave, ku do të ketë pagë mesatare në sektorin publik 900 euro.

Faktet flasin për një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm, në 14 Maj do të vendoset fuqia e bashkëpunimit mes qeverisë dhe qeverisjes vendore, nuk mund ta anashkalojmë dhe të fshehim, që në 14 Maj njerëzit duhet të qëndrojnë në krahun e duhur të historisë. Ana e duhur e historisë është të qëndrosh në krah të aleatëve të Shqipërisë.

Unë kam folur për kukulla të një çifti, ku kemi një nongrata të shpallur nga aleati ynë strategjik, cilësia dhe natyra e raporteve me Shqipërinë vendoset nga ata. Një nga individët më të rëndësishëm të politikës së vendit në këto 30 vite mban damkën e të padëshirueshmit.

Kjo nuk është presion, por është një mënyrë për ti thënë njerëzve, që këta kandidatë nuk janë vënë aty për të zgjidhur hallin e komunitetit, por për të krijuar oaze të luftës politike, për të krijuar barrikada me qeverisjen qendrore. Ne do të bëjmë tonën në çdo bashki.