Nga Katundi i Ri në Durrës, ku po mban një takim me fermerët për të folur për rritjen e çmimeve, kryeministri Rama u shpreh se qeveria është duke bërë atë që nuk po e bën asnjë shtet tjetër sa i përket çmimit të energjisë.

“Ne po bëjmë atë që asnjë vend se ka bërë akoma. Pash që Franca ka bërë një kompensim, por jo të plotë. Ne po bëjmë kompensimin e plotë të faturës së energjisë. Ne sot jemi në mars dhe të gjitha problemet i kemi përpara. Kjo do të thotë se do të shkundim të gjithë buxhetin e shtetit që të mos vijë te ju. Jam dakord që janë rritur kostot, por kjo ka ardhur si pasojë e krizës së përgjithshme”.

Ndërkohë, ai theksoi se kriza është duke prekur rëndë sektorin e ndërtimit, për të cilin Rama tha se tashmë ka ndaluar.

“Kanë ndaluar ndërtimet sepse hekuri është rritur 3-fish sepse kontrata tona me ndërtuesit për Llogaranë, janë me çmimin e hekurit 3 herë më pak. Për të vazhduar, ata na thonë se nuk mund të vazhdojmë të zbatojmë kontratën sepse falimentojmë. Çfarë duhet të bëjmë ne? Të shtojmë financat apo të presim?”, u shpreh Rama.

Më herët ai kërkoi nga bujqit që të mbështeten te njëri tjetri, qoftë në planifikimin për të mbjellat, qoftë për shitjen e produkteve të tyre.