NJOFTIM PËR MEDIA NGA EVIS KUSHI:
Ministrja Kushi thirrje të prerë drejtuesve të strukturave arsimore: Tregoni përgjegjshmëri maksimale për identifikimin dhe parandalimin e çdo rasti dhune tek të miturit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mbledhjen e kësaj jave me drejtues të strukturave arsimor në të gjithë vendin e përqendroi tek nevoja urgjente për të shtuar vëmendjen dhe përgjegjshmërinë e çdo punonjësi të fushës së arsimit ndaj rasteve të mundshme të dhunës ndaj të miturve.
Në një status në Facebook ministrja është shprehur se:

“Nisur nga rastet e fundit të dhunës së ushtruar ndaj të miturve, fokusi i mbledhjes së përjavshme me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme, Drejtorive Rajonale dhe Zyrave Vendore, si dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, ishte pikërisht trajtimi i këtyre rasteve.

Theksuam nevojën e përhershme për vëmendje të shtuar ndaj përgjegjësisë që ka çdo mësues, drejtues shkolle, psikolog apo punonjës social, për komunikim të ngushtë me nxënësit, prindërit, familjen dhe gjithë komunitetin për të identifikuar në kohë çdo rrezik dhe për të parandaluar çdo rast të mundshëm të dhunës së të miturve, jo vetëm në shkollë, por edhe në familje e kudo tjetër.
Dhuna ndaj të miturve është një fenomen i dhimbshëm global i cili rëndon jo vetëm mbi viktimat dhe familjet e tyre, por në mbarë shoqërinë. Prandaj edhe fokusi ynë në çdo kohë është trajnimi i të gjitha stafeve tona shkollore për identifikimin e hershëm të rasteve, trajtimin me përgjegjshmëri të tyre, e sidomos parandalimin në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse”.