Është ndërprerë për disa minuta procesi i rinumërimit të 18 kutive të votimit që i përkasin Qendrave të Votimit në Bashkinë e Kuçovës.

Shkak për këtë është bërë një moment tensioni mes kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Lefter Maliqi dhe sekretarit të përgjithshëm të KQZ-së Ylli Merkaj.

Maliqi: Ti je hajdut, kë provokon ti, hajdutër. Mua më mëson ti, që kam qenë oficer policie 25 vjeç, 7 vite anëtar i Komisionit të Sigurisë, unë jam për të mbrojtur demokracinë këtu.

Kandidati Maliqi vijoi më tej akuzat në drejtim të KQZ-së, të cilët i ‘këshilloi’ që votat tia jepnin që ti numëronte kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Diferenca mes Maliqit dhe Hajdarit në zgjedhjet e 14 Majit ka qenë më shumë se 600 vota, por kandidati i opozitës pretendon për një sërë shkeljesh dhe parregullsish gjatë procesit, shtuar këtu edhe blerjes së votave, duke akuzuar në mënyrë direkte dhe të vazhdueshme dhe biznesmenin Pëllumb Salillari.

Nga ana tjetër, Maliqi akuzon kundërshtarin e tij, Hajdarin, se ka fshehur një dënim në formularin e dekriminalizimit, pretendim për të cilin ka nisur dhe një hetim nga ana e SPAK.