Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka dhënë sot detaje për planin e ristrukturimit të Policisë së Shtetit, në një konferencë të përbashkët që po mban me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.

Ristrukturimi nis gjatë këtij viti me ngritjen e drejtorive të posaçme për luftën kundër krimit, trafikut të njerëzve, drogës dhe grupeve të strukturuara.

“Kjo është një reformë që ka qenë gjithnjë e rekomanduar nga partnerët tanë. Por që më në fund gjatë 2022 ne arritëm të bëjmë hapin e parë. Policia kriminale, duke filluar nga ky vit do të merret me krime të posaçme. Pra do ndahen në kategori, pothuajse si në të gjitha vendet perëndimore.

Këtë ndarje duhet ta bëjmë nga qendra. Gjatë 2023, do vijojmë shtrirjen e vertikalitetit edhe në vendet e tjera. Kemi ndarë një drejtori të veçante me narkotikët, një që do merret me grupet e organizuara dhe me krimet e rënda.

Pra do jenë të ndara në departamente. Unë besoj që ky ristrukturim do i japë shtysë shumë të madhe dhe shumë shpejt do shohim pritshmëri të reja në luftën kundër trafikut njerëzor, bandave të strukturuara etj”, është shprehur ministri Çuçi.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fnewsbomb.al%2Fvideos%2F483477080612634%2F&show_text=false&width=560&t=0

Më tej, gjatë fjalës së tij ai u ndal te dronët inteligjentë që do të marrë Shqipëria si dhe te mbrojtja kibernetike. Sipas ministrit Bledi Çuçi, investimet përgjatë vitit 2023 do të rriten me 7.6 herë, pa përfshirë donacionet që janë premtuar nga partnerët.

“Vetëm nga burimet e policisë së shtetit, pa përfshirë financimet që pritet dhe na janë premtuar nga partnerët tanë. Që do të jenë kryesisht për fushën kibernetike. Ne po punojmë për ngritjen e një agjencie kombëtare për mbrojtjen kibernetike. Këto i kemi parashikuar të gjitha si investime për vitin 2023. Do të jemi një nga vendet me infrastrukturën më të mirë për mbrojtjen kibernetike.”