Një ditë pasi ndërroi jetë, trupi i ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe është rikthyer në shtëpinë e tij në Tokio ndërsa politikanët vendas përgatiten për zgjedhjet e ardhshme nën hijen e vrasjes së kryeministrit më jetëgjatë në Japoni.
Mëngjesin e të shtunës, shoqëruar nga bashkëshortja e tij Akie, një makinë që mbante trupin e 67-vjeçarit është larguar nga spitali Kashihara.
Në këtë spital Shinzo fillimisht u trajtua për plagët e marra gjatë atentatit në qytetin Nara, ku fatkeqsisht më vonë ndërroi jetë.
Më pas automjeti ka mbërritur në rezidencën e tij në Tokio, ku anëtarë të lartë të Partisë Liberale Demokratike që dikur drejtohej nga Abe, të veshur me të zeza, u rreshtuan për të dhënë nderimet e tyre. Ligjvënësit e LDP u shprehën se fushata do të vijojë për zgjedhjet e të dielës, pasi ngjarja e rëndë nuk mund të ndalojë demokracinë.
Ndërkohë autoritetet po përpiqen të përcaktojnë një motiv për vrasjen, mes tronditjes dhe zemërimit që një politikan mund të vritej në mes të ditës në një nga shoqëritë më të sigurta në botë.
Rrëfehet autori
Tetsuya Yamagami, i dyshuari i arrestuar në vendngjarje pas atentatit, i tha policisë se kishte në plan të sulmonte liderin e një grupi fetar i cili kishte mashtruar familjen e të dyshuarit. Yamagami një 41-vjeçar, banor i Nara, po ashtu shprehu pakënaqësi ndaj Abe, të cilin e akuzoi se ka promovuar grupin fetar në fjalë.
Ndonëse 41-vjeçari theksoi se nuk kishte në shënjestër politikanin e ndjerë. Policia nuk ka bërë me dije se për cilin grup fetar bëhet fjalë apo nëse ish-kryeministri japonez ishte pjesë e tij.
Ndërkaq hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes së rëndë.
Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe ndërroi jetë në spital në qytetin perëndimor Nara pasi u qëllua me armë zjarri gjatë fushatës elektorale në këtë qytet.
Liderët botërorë shprehën ngushëllimet e tyre për familjen e të ndjerit ndërsa kanë dënuar sulmin ndaj tij. 67-vjeçari cilësohet si një prej kryeministrave më me ndikim në historinë e Japonisë.