Autoritetet greke kanë nisur sot operacionin special për gjetjen e pjesëve të avionit ushtarak serb “Antonov” 12 që u rrëzua mbrëmjen e djeshme në zonën e Kavallës në Greqi.

Operacionit special i paraprinë xhirimet me dron, për tu afruar më pas në vendngjarje grupe piroteknikë të Forcave të Armatosura, siç njoftoi në orët e para të mëngjesit kryebashkiaku i Pangaio, Philippos Anastasiadis.

Gjithashtu pritet që të operojnë edhe Brigada e Zjarrfikësve dhe ekipet e shpëtimit, për të eliminuar çdo mundësi për shpërthime të reja, pasi avioni kishte një ngarkesë me 12 tonë lëndë të rrezikshme.

Ndërkohë autoritete greke po shqyrtojnë mundësinë ee evakuimit të fshatit Antifilipi, ku ra avioni për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin municionet që ndodheshin në të.

Mundësia e evakuimit do të vlerësohet nga ekspertiza e punonjësve piroteknikë që ndodhen në vendngjarje, si dhe të Zjarrfikësve.