Tajvani nuk do t’i përulet presionit nga Kina dhe do të mbrojë mënyrën e saj demokratike të jetës, tha presidentja Tsai Ing-wen në një fjalim sfidues mes tensioneve të rritura mbi ishullin.

“Sa më shumë që arrijmë, aq më i madh është presioni me të cilin përballemi nga Kina,” tha ajo.

Sipas BBC, fjalimi i saj në Ditën Kombëtare të Tajvanit erdhi pasi Presidenti i Kinës, Xi Jinping u zotua të “përmbushë ribashkimin”. Tajvani e konsideron veten një shtet sovran, ndërsa Kina e shikon atë si një provincë të shkëputur. Pekini nuk ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për të arritur bashkimin.

Tsai u rizgjodh me një bindje dërrmuese vitin e kaluar me një premtim për t’i bërë ballë Pekinit. Në fjalimin e saj të Dielën, ajo tha se Tajvani “qëndronte në vijën e parë të mbrojtjes të demokracisë”. Ajo tha gjithashtu se ishulli nuk do të “veprojë me nxitim”, por do të forcojë mbrojtjen e tij për të “siguruar që askush nuk mund ta detyrojë Tajvanin të marrë rrugën që Kina ka vendosur për ne”.

Fluturimet ushtarake të Kinës në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit kishin ndikuar seriozisht në sigurinë kombëtare dhe sigurinë e aviacionit, tha ajo, dhe situata ishte “më komplekse dhe fluide se në çdo pikë tjetër në 72 vitet e fundit”. Tsai përsëriti një ofertë për të folur me udhëheqësit kinezë në mënyrë të barabartë, një sugjerim që Pekini – i cili e quan atë një “separatiste” – deri më tani e ka refuzuar. Fjalimi i saj u pasua nga një fluturim i avionëve luftarakë tajvanez.

Kina dërgoi një numër rekord avionësh ushtarakë në zonën e mrojtjes ajrore të Tajvanit ditët e fundit. Disa analistë thanë se fluturimet mund të shihen si një paralajmërim për presidentin e Tajvanit përpara Ditës Kombëtare të së Dielës.